Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se po pērpiqet tē mbulojē tē shkuarēn e disa prej zyrtarēve tē emēruar dhe qē janē denoncuar nga opozita pēr shpērdorim detyre apo korrupsion. Zēdhēnēsja e PD-sē Laura Vorpsi theksoi se Rama po merr nē mbrojtje drejtuesit e dēnuar nga gjykatat, duke iu referuar drejtuesit tē CEZ nē Durrēs dhe kreut tē Zyrēs sē Punēs nē Korçē.
“Po paraqesim para publikut dy vendimet e gjykatave të Durrësit dhe asaj të Korçës, për dy funksionarë të lartë në këto rrethe, të dënuar më parë për vepra të rënda penale. Ja vendimi i Gjykatës së Durrësit që e dënon Plator Mehmetin, i caktuar nga rilindja kryeinxhinier në CEZ, me 10 muaj e 15 ditë burgim e 267 mijë lekë gjobë, për shpërdorim detyre dhe shkelje të pabarazisë në tendera. Ja vendimi i Gjykatës së Korçës që e dënon Florenc Tabakun, kreun e zyrës së punës me 6 muaj burg dhe 250 mijë lekë gjobë për falsifikim dokumentesh”, theksoi Vorpsi duke paraqitur vendimet respektive pēr dy zyrtarēt e emēruar.
Sipas PD-sē, Qeveria dhe Kryeministri Rama, jo vetëm nuk marrin masat e duhura, por bëjnë përpjekje të dëshpëruara, për të mbrojtur me cdo kusht këta persona dhe për të mbuluar të shkuarën e tyre.
“Partia Demokratike është e shqetësuar për kapjen e administratës nga persona me të kaluar të dyshimtë. Kjo dukuri bëhet edhe më shqetësuese, kur Edi Rama dhe Ministrat e tij, në mes të dhjetëra e ndoshta qindra socialistëve, apo të mijëra të rinjve e të rejave të vendit të arsimuar dhe pa probleme me drejtësinë në të shkuarën, zgjedhin njerëz me precedentë penalë për t’u dhënë pushtet e privilegje. Është e qartë se kjo rilindje është vetëm e Edi Ramës dhe e të dënuarve, të cilët i kanë blerë zyrat që drejtojnë, sepse sot nuk ka meritë, nuk ka garë reale, nuk ka konkurse, nuk ka shanse të barabarta për të gjithë”, theksoi Vorpsi.
Ndërkohë përmes një deklarate për mediat Zyra e Shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se pas çdo denoncimi të dhënë nga opozita janë bërë verifikime të plota.
“S’ka dyshim se qeveria e ka treguar me fakte konkrete vëmendjen e plotë ndaj pretendimeve të opozitës. Konkretisht, në çdo rast kur opozita ka drejtuar gishtin në drejtim të personave të caktuar, me detyra administrative, është bërë verifikimi i plotë. Dhe në tre raste, verifikimi është pasuar me kërkesën për largim nga detyra për mospërmbushje të standardit etik në mbajtjen e një detyre. Por, fatkeqësisht, në rastet e tjera ka rezultuar së Partia Demokratike ka bërë thjesht politikën e saj të vjetër, denigruese, duke spekuluar me emra konkretë dhe mbi dokumentë të keqpërdorur, për manipulim të opinionit publik”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Duke hedhur poshtë çdo akuzë që është ngritur në këto raste, Qeveria rinënvizon vullnetin e vet të palëkundur, për të dëgjuar me vemëndje çdo pretendim të opozitës. Qeveria e siguron Partinë Demokratike se do të verifikojë me seriozitetin më të madh, çdo pretendim edhe në këtë drejtim dhe do të reagojë menjëherë pozitivisht për çdo rast të paraqitur me provat përkatëse. Kjo është një kulturë e re qeverisëse dhe këtë kulturë, Qeveria do ta afirmojë si shprehjen më kuptimplotë të vetëdijes se pushteti është i njerëzve e jo anasjelltas, si deri gjashtë muaj më parë.
Duke e falenderuar Partinë Demokratike për kontributin e dhënë në tre rastet e lartpërmendura dhe duke shprehur keqardhjen më të sinqertë për çdo rast tjetër, ku janë përgojuar e denigruar për qëllime thjesht politike, njerëz tërësisht të pafajshëm, Qeveria e Shqipërisë e garanton publikun për vendosmërinë e vet të palëkundur, për ta luftuar pa kompromis të keqen, kudo dhe sido ajo të shfaqet.