Një zhvillim i panjohur për Kunatin kishte ndodhur ditën e takimit të nivelit të lartë, BE- Shqipëri.
Kur Ed Halimi filloi të fliste, Ed Rama filloi të shkruante mbi një letër. Fyle, që e dëgjonte fjalimin e Halimit dhe skuqej nga broçkullat që thoshte, shikonte i çuditur nga Edi Rama se çfarë mbante shënim.
Ed Halimi fliste, Ed Rama shkruante, Ed Halimi fliste, Ed Rama shkruante… Kjo skenë zgjati rreth 5 minuta dhe Fyle nuk po e kuptonte fare situatën.
Kur Ed Halimi mbaroi fjalën, pasi Fyle u bë nervoz dhe bëri me shenjë të ndërpriste fjalën se kaloi afati, Rama pushoi së mbajturi shënim. Kur flisnin të tjerët, ai nuk shkruante më.
Enigma e kësaj ngjarje u zbardh në fund të takimit.
Ed Rama afrohet tek Majlinda Bregu dhe i zgjat një copë letër.
Fyle zgjati kokën të shikonte çfarë ishte dhe iu duk si shenjë dialogu mes pozitës dhe opozitës.
Kurioz për letrën, pyeti Bregun më pas.
-Çfarë ishte ajo që iu dorëzoi zoti Rama, konkluzionet?
-Jo, i tha Majlinda, një karikaturë për Ed Halimin. Si e shikon kryeministri një deputet të opozitës.
-A mund ta shikoj, i tha Fyle.
-Patjetër, i tha Bregu dhe ia dha.
Fyle kishte qeshur dhe ia kishte kthyer karikaturën Majlindës.
Të gjitha këto ia raportuan Kunatit.
Ky i fundit, i shqetësuar për karikaturën, thirri Majlindën.
-Ma dorëzo karikaturën, i tha, që ta ka dhuruar Rama.
-Nuk më ka dhuruar ndonjë karikaturë, i tha Bregu.
-Kam informacione të sigurta që ta ka dhuruar, i tha Kunati.
-Ju kanë gënjyer, tha Bregu. Nuk e kam idenë se për çfarë karikature bëhet fjalë. Nëse e dini, mund të ma përshkruani.
-Ka bërë një karikaturë të Ed Halimit, që hundën ia ka bë si të Berishës, veshin si të Bashës dhe gojën si kasetofon.
-Nuk kam parë karikaturë të tillë, tha Bregu. Ky është përfytyrim semplist për Halimin. Kështu e përfytyrojmë ne, jo Rama.
-Po mirë, më thuaj si e ka vizatuar Rama, pyeti Kunati.
-Nuk e di, nuk e kam parë, tha Bregu, por më duket se Halimi ju ka dizinformuar. Ai mendon se Rama e ka vizatuar kështu dhe kërkon të gjejë kopjen.
-Po kush mund ta ketë, tha Kunati.
-Mund t’ia ketë dhuruar Fyles, tha Bregu. Në takimin në Strasburg ta vendosim si kusht nga opozita të dorëzojë karikaturën.
Kunati, i cili ishte i qartë që Bregu e kishte parë karikaturën, vazhdoi të këmbëngulte.
-Po mirë, sipas teje, Rama si mund ta bëjë një karikaturë të Ed Halimit?
-S’e di se nuk e njoh stilin e Ramës në të vizatuar.
-Po mirë, jep një mendim tëndin kot, si e përfytyron?
-Po s’di si të them, tha Majlinda. Unë nuk ia njoh stilin.
-Po si i bëhet ta gjejmë këtë karikaturë të mos shpërndahet, tha Kunati.
-E thjeshtë, tha Bregu. Jepi leje Ed Halimit se shkon ia blen.
-I thashë, tha Kunati, por ai thotë më ka viztuar si mi dhe ndjehet i fyer.
-Epo miu vetëm nga macja ka frikë, i tha Majlinda. I thuaj ta urdhërojë Doktori.