Qeveria miraton procedurat disiplinore dhe rregullat për krijimin, përbërjen dhe vendimmarrjen në Komisionin Disiplinor në Shërbimin Civil.
Ligji përcakton që organet disiplinore janë Komiteti Kombëtar i Përzgjedhjes, për anëtarët e TND-së (KKP); komisioni disiplinor (KD), për nëpunësit e tjerë, dhe eprori direkt.
Komisioni disiplinor, për institucionet e administratës shtetërore, përbëhet nga 5 anëtarë dhe ka në përbërje nëpunësin më të lartë civil të institucionit ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore, i cili kryeson komisionin; eprorin direkt të nëpunësit civil për të cilin ka nisur ecuria disiplinore; drejtuesin e njësisë së burimeve njerëzore të institucionit ku bën pjesë nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore; një përfaqësues të DAP-it dhe nëpunësin më të vjetër civil të institucionit ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore.
Gjithashtu p/ligji parashikon që edhe për institucionet e pavarura, bashkitë dhe qarqet, komisioni disiplinor përbëhet nga 5 anëtarë dhe ka përbërjen e tij nëpunësin më të lartë civil në atë institucion; eprorin direkt të nëpunësit civil për të cilin ka nisur ecuria disiplinore; drejtuesin e njësisë përgjegjëse për atë institucion; nëpunësin më të vjetër civil të institucionit ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore dhe nëpunësin më të vjetër civil të njësisë ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore.
Prodecurat disiplinore
Me “procedurë disiplinore” do të kuptohet gjithë veprimtaria administrative që kryhet që nga momenti i konstatimit të një shkeljeje disiplinore, vënies në dijeni, me shkrim, të personit që pretendohet se ka kryer shkeljen, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga organi disiplinor.
Nëpunësit e institucionit, kur kanë dijeni apo dyshojnë për shkelje disiplinore të kryera nga nëpunës të tjerë të të njëjtit institucion duhet t’ia raportojnë atë, me shkrim, eprorit direkt të nëpunësit për të cilin pretendohet se ka kryer shkeljen.
Kur shkeljet janë konstatuar nga shtetas apo institucione jashtë strukturave të institucionit ku bën pjesë nëpunësi për të cilin pretendohet se ka kryer shkeljen, ato i raportohen zyrtarisht institucionit përkatës.
Ankesa/rekomandimi në lidhje me shkeljen disiplinore të pretenduar duhet të plotësojë këto kushte: të jetë me shkrim; të identifikojë nëpunësin civil, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen disiplinore; të përcaktojë veprimin konkret, që pretendohet se përbën shkelje disiplinore dhe rrethanat e kryerjes së tij.
Drafti parashikon që kërkesat anonime nuk pranohen për shqyrtim. Ankesa/rekomandimi i depozituar në institucion, i dërgohet eprorit direkt të nëpunësit të cilit i atribuohet shkelja.
Eprori direkt, në rastet kur vihet në dijeni të një pretendimi për shkelje disiplinore nëpërmjet ankesave nga publiku, e vlerëson paraprakisht atë.
Nëse informacioni i marrë nuk rezulton të ketë elemente që mund të klasifikohen si shkelje disiplinore, eprori direkt vendos të mos e fillojë ecurinë disiplinore.
Në rast se informacioni i marrë rezulton të ketë elemente të klasifikuara si shkelje disiplinore, eprori direkt bën klasifikimin e shkeljeve. Në rast se shkelja klasifikohet në shkeljet e lehta, eprori direkt fillon ecurinë disiplinore.
Në rast të kundërt eprori direkt i kërkon KD-së të fillojë ecurinë disiplinore.
Nëse shkelja që i atribuohet nëpunësit rezulton se nuk është klasifikuar drejt apo nuk është në juridiksionin lëndor të organit disiplinor që e ka marrë në shqyrtim kërkesën, atëherë ai vendos dërgimin me shkresë zyrtare pranë organit kompetent.
Në rastin e marrjes dijeni për një shkelje disiplinore, organi disiplinor fillon ecurinë disiplinore dhe njofton, me shkrim, nëpunësin përkatës: për shkeljen disiplinore të pretenduar për të; për të drejtën që ai ka për të paraqitur, me shkrim, sqarimet e tij rreth shkeljes së pretenduar dhe afatin deri kur duhet të paraqitet ky sqarim; për të drejtën që ka për të inspektuar dosjen e procedimit, për t’u dëgjuar, ai vetë apo me përfaqësues ligjor, për të paraqitur dëshmitarë, për të paraqitur prova ose për të kërkuar marrjen e tyre; për datën kur do të shqyrtohet shkelja e pretenduar.
Kjo datë nuk mund të caktohet më shpejt se 4 (katër) ditë dhe jo më vonë se 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë nga marrja e njoftimit nga nëpunësi.
Organi disiplinor heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e ngjarjes që janë të nevojshme për marrjen e vendimit, si dhe mund të përdorë çdo mjet për të mbledhur prova, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, e, në veçanti, ai kryen veprimet: pyet ose merr deklarata nga dëshmitarët dhe verifikon faktet kundërshtuese; rishikon dokumentacionin përkatës për mospërputhje, për fakte që mungojnë, data apo firma që janë hequr etj; shqyrton dosjen e nëpunësit; thërret nëpunësin për t’u njohur me variantin e tij të ngjarjeve apo të problemit; verifikon praktikat dhe rastet e procedimeve disiplinore të mëparshme; kryen çdo veprim tjetër të nevojshëm për verifikimin e ngjarjes.
Në përfundim të hetimit administrativ organi disiplinor i vë në dispozicion nëpunësit që po procedohet materialet e mbledhura gjatë këtij hetimi.
Në seancën dëgjimore nëpunësi paraqitet vetë ose cakton një përfaqësues, sipas ligjit. Në rast se mbas dy njoftimeve të njëpasnjëshme nëpunësi apo përfaqësuesi i tij nuk paraqiten, ecuria disiplinore vazhdon në mungesë.
Organi disiplinor, pasi shqyrton çështjen sipas pikave 13, 14 dhe 15 të këtij vendimi, dhe pasi ka dëgjuar nëpunësin përkatës ose përfaqësuesin e tij ligjor, apo vë në dukje, me shkrim, mosparaqitjen e tij, megjithëse nëpunësi ka marrë dijeni rregullisht, vendos marrjen e masës disiplinore ose ndërprerjen e ecurisë disiplinore.
Rastet kur ndërpritet procedimi disiplinor
Drafti i miratuar nga Qeveria përcakton rastet kur komisionet ndërpresin procedurat për procedimin disiplinor ndaj punonjësit të administratës publike. Kështu në draftin e miratuar parashikohet që procedimin disiplinor ndërpritet kur:
a) nuk ka shkelje disiplinore, siç ishte menduar;
b) rezulton se nëpunësi nuk ka kryer shkelje me faj;
c) veprimi nuk ka qenë ose nuk është kryer nga nëpunësi përkatës.
Vendimi përfundimtar i organit disiplinor përmban këto të dhëna:
a) organin që ka marrë vendimin;
b) identifikimin e nëpunësit ndaj të cilit është marrë masa;
c) masën e marrë;
ç) shkeljen faktike;
d) bazën ligjore;
dh) arsyetimin e vendimit dhe shpjegimin e fakteve që janë bërë shkas për marrjen e vendimit;
e) rastet e mëparshme të shkeljeve të ngjashme dhe të masave disiplinore të marra;
ë) një listë dhe kopje të të gjitha dokumenteve që mbështesin masën disiplinore të dhënë, nëse këto kërkohen nga nëpunësi nën procedim;
f) të drejtën që ka nëpunësi i ndëshkuar për t’u ankuar dhe afatet e ankimimit.
Një kopje e vendimit së bashku me materialet shoqëruese u jepen nga organi disiplinor nëpunësit dhe njësisë përgjegjëse, brenda 4 (katër) ditëve nga dhënia e tij. Kopja e vendimit bëhet pjesë e dosjes personale të tij.
Procedurat
Procedura e deklarimit të statusit të punësimit përfundon jo më vonë se 120 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Në rast se për shkaqe të arsyeshme, procedura nuk ka përfunduar brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, DAP-i/njësia përgjegjëse ka të drejtën e shtyrjes së afatit një herë të vetme, jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë.
Çdo nëpunës civil/punonjës, ka të drejtën të kërkojë deklarimin e statusit të punësimit pranë DAP-it/njësisë përgjegjëse, pavarësisht procedurës së nisur nga njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore të institucionit përkatës.
Nëpunësit civilë të cilët janë rekrutuar sipas procedurave konkurruese, parashikuar nga ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe që janë në periudhë prove, vazhdojnë periudhën e provës sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Procedura e vlerësimit në përfundim të periudhës së provës, për këta nëpunës, bëhet sipas parashikimeve të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.