Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ka përfunduar sërish në qendër të sulmeve të opozitës.
Shkak për këtë është bërë një video që po qarkullon që prej së hënës në Youtube.
Në këtë video pretendohet që Erdogan këshillon të birin të fshehë milionat e dollarëve, pas shpërthimit të skandalit në dhjetor, kur u arrestuan fëmijët e disa ministrave për korrupsion.
Në video, autencititeti i së cilës, sipas Reuters nuk është vërtetuar akoma, Erdogan kërkon nga i biri që të largojë milionat e dollarëve që mban në shtëpi.
Por, menjëherë pas kësaj ka reaguar Kryeministria turke, e cila thotë se video është një montim dhe ka për qëllim të sulmojë kryeministrin Erdogan.
“Incizimet e postuara në internet, bashkë me pretendimet se fjala është për bisedën telefonike mes kryeministrit Rexhep Taip Erdogan dhe djalit të tij, janë krejtësisht të pavërteta dhe produkt i montimit të pamoralshëm. Ata që e kanë krijuar këtë komplot të pistë drejtuar kryeministrit të Turqisë, do të përgjigjen para ligjit”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.