Trajneri i përfaqësues kosovare Albert Bunjaki, nuk ka hezituar të flasë për yjet shqiptarë që luajnë në klubet dhe kombëtaret e huaja. Bunjaki mendon se në këtë moment nuk është mirë t’u bëjmë presion futbollistëve që angazhohen në kombëtaret e tjera, sepse sipas tij, kjo ndikon në zhvillimin e tyre. Ai beson se në momentin kur Kosova të pranohet me drejta të plota në UEFA e FIFA, atëherë gjithë këta lojtarë do të kenë mundësi të luajnë për Kosovën.
Bunjaki thotë se jo vetëm Januzaj, por edhe futbollistët tjerë do ta kenë ëndërr të veshin fanellën e Kosovës.
“Deri në fazën e pranimit të plotë të Kosovës në UEFA e FIFA, lojtarët të cilët janë duke luajtur në përfaqësueset e tjera në këtë moment, nuk është mirë t’i kemi në përfaqësuese, për shkak të zhvillimit të tyre. Ne momentin që Kosova të pranohet me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA, të gjithë këta lojtarë, pa marrë parasysh se cilës kombëtare i takojnë, kanë mundësi të luajnë për Kosovën. Ka pasur spekulime të mëdha jo vetëm për familjen Januzaj, por edhe për të tjerët, dhe mund të them se edhe kryetari Vokrri dhe unë kemi pasur kontakte me familjarët e Januzajt dhe për ne është shumë e rëndësishme të presim momentin dhe jemi në pritje të një takimi zyrtar me familjen Januzaj, ku do të diskutojmë se a është momenti, kur dhe a ekziston momenti që ai të jetë në përfaqësuesen tonë. Personalisht besoj se në ambientin që jemi duke e rregulluar, lojtarët do ta kenë ëndërr për të qenë pjesë e përfaqësues së Kosovës, pavarësisht konkurrencës. Unë kam një bindje se jo vetëm Januzaj, por edhe të tjerët e dinë se ç’do të thotë të luash për Kosovën”, është shprehur Bunjaki.