“Ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin dhe për të mbrojtur të drejtat njeriut dhe liritë civile për të gjithë individët në rajon. Aleanca mundet dhe duhet të pranojë anëtarë të rinj kur ata të jenë gati”, u shpreh Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksander Arvizu në fjalën e mbajtur në konferencën e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ‘Karta e Adriatikut-SHBA’.
Arvizu theksoi se SHBA mbetet e palëkundur në politikën e dyerve të hapura të NATO-s, ndërsa ka vënë theksin në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta duke iu drejtuar të pranishmëve u shpreh se rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit rrit sigurinë e në Evropën Juglindore.
“Në kontekstin e një krize ekonomike globale që ka tundur themelet e sigurisë ekonomike të vendeve anëtare të BE-së dhe për rrjedhojë ka rritur sfidat e parametrave të sigurisë të gjithë Europës, shpreh bindjen e thellë se bashkëpunimi mes vendeve tona merr një dimension të veçantë”, theksoi Meta.
Sipas tij, në këtë kuadër rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit konkret ndërparlamentar përfaqëson një peshë të rëndësishme dhe mbi të gjitha një rol të veçantë në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Europën Juglindore.
“Kuvendi i Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s është i vetëdijshëm për peshën e rëndësisë që ne mbajmë mbi supe në shërbim të mbarëvajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin tonë. Për këtë ne kemi qënë gjithmonë të bindur në politikën tonë kontruktive, bashkëpunuese dhe rajonale duke lënë mënjanë përqasjet konfliktuale dhe duke i përqëndruar përpjekjet tona tek përshpejtimi i axhendës së integrimit rajonal dhe atij euro-atlantik të vendit tonë por edhe në fuksion të fqinjëve tanë me të cilët ndajmë të njëjtën hapësirë gjeografike dhe kulturore”, theksoi Meta.
Në vijim ai shtoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian do të sjellë më shumë siguri dhe prosperitet për rajonin. “Pa një Ballkan Perëndimor të integruar në strukturat euro-atlantike parametrat e sigurisë në Europën Juglindore nuk do të arrijnë kurrë standartet që ne dëshirojmë dhe që qytetarët tanë meritojnë. Nga ana tjetër as vetë Bashkimi Europian nuk do të jetë kurrë i plotësuar dhe i sigurtë. Shqipëria i mbështet plotësisht aspiratat e të gjithë vendeve të rajonit tonë për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian sepse jemi të bindur se avancimi i këtyre proceseve të ndërlidhura do të sjellë më shumë siguri, paqe aftagjatë dhe më tepër prosperitet duke na çuar të gjithve më afër afër standarteve të politikbërjes dhe standarteve të Bashkimit Europian. Shqipëria i qëndron besnike parimeve të dyerve të hapura të NATO-s pikërisht sepse e kemi parë shumë qartë rezultatin pozitiv që kjo politikë ka prodhuar gjatë viteve të fundit, jo vetëm si një kontribut për rajonin e Ballkanit por edhe në funksion të një vizioni më të madh të një Europe të bashkuar të lirë dhe në paqe”, tha Kreu i Kuvendit.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh se Karta e Adriatikut ka ndikuar në ndryshimet thelbësore në vendin tonë por ka rritur edhe sigurinë në vendet e rajonit. Ndërsa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati theksoi se Shqipëria i kushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal dhe është plotësisht e angazhuar për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj për procesin e integrimit evropian. Ai shtoi se Shqipëria se inkurajon respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi dhe në Preshevë.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Sigurinë Spartak Braho e cilësoi nismën mbarëballkanike të Kartës së Adriatikut një histori suksesi, që bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ai vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në suksesin e Kartës, e cila vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive. “Ne mbështesim dhe inkurajojmë progresin e bërë nga vendet aspirante për në NATO. Ndaj mendojmë se është e rëndësishme që ato të paraqesin rezultate pozitive, brenda qershorit, në mënyrë që vendet aleate të mbështesin idenë e zgjerimit të Aleancës”, tha Braho.