Policia bën të ditur se ka identifikuar autorin e vrasjes së dy të rinjve nga Fushë Kruja, trupat e të cilëve u gjetën të djegur brenda një makine në zonën e ish-Kënetës në Durrës.
Ai është Odise Verbofshi dhe është shpallur në kërkim.
Ai akuzohet për vrasjen e Shaban Babasit dhe Albert Kasallës.
Mendohet se krimi ndodhi për shkak të prishjes së pazrave të drogës.
Verbofshi është pronari i banesës ku u vranë dy të rinjtë. Në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike dhe dy pistoleta.
Krimi makabër
Ngjarja e rëndë u zbulua në zonën e ish- Kënetës në Durrës, ku 2 persona janë gjetur të shkrumbuar brenda një automjeti.
Trupat e pajetë të dy meshkujve u gjetën brenda një automjeti në flakë në periferi të qytetit, pranë ish-vaskave të peshkut.
Nga hetimet rezultoi se viktimat janë nga fshati Kamberas i Fushë- Krujës.
Ata janë Albert Kasalla dhe Shaban Babasi.
Mësohet se Babasi ishte banakier i një lokali në qendër të fshatit Kamberas kurse Kasalli punonte në një gurore në Fushë Krujë.
Nga të dhënat e para nga hetimet e kryera mësohet se personat janë të skeduar për vepra penale të mëparshme.
Kështu, Babasi rezulton ish-i dënuar për trafik droge në Itali ku dhe ka kryer dënim me 3 vjet burg. Kurse Kasalli rezulton i skeduar për transport narkotikësh.
Ka qenë një telefonatë e mbërritur në sallën operative të policisë që denonconte përfshirjen nga flakët të një automjeti. Brenda automjetit, pas shuarjes së zjarrit, u gjetën dy kufomat, që për shkak të shkallës së lartë të djegies ka qenë e vështirë të përcaktohet menjëherë përkatësia e tyre gjinore.
Njëri prej trupave është gjetur në bagazhin e automjetit dhe tjetri në sediljen e pasme të mjetit tip Mercedes Benz.
Ekspertët kanë konfirmuar tashmë se viktimat janë ekzekutuar më parë me armë zjarri dhe më pas mjetit i është vënë flaka për të zhdukur trupat dhe provat e krimit.
Veprimet e shpejta policore gjatë natës së kaluar dyshohet se nuk u kanë dhënë kohë autorëve të zhdukin gjurmët në banesën ku ka ndodhur krimi.