Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Një grusht për mizerinë

$
0
0

Blerina-Rogova-402x280Nga Blerina Rogova- Gaxha

 

Tu u betu e tu u rrëfy kryeministri në fillim të mandatit të tij të dytë thoshte se nuk do të kandidonte, edhe një herë të tretë për shef qeverie, por “dukati në ballë e rrena në mëhallë” e ai sërish u bë vetvetja dhe tha pa i bërë syri fërr, “Po unë jam kryeministër dhe kryeministër do të jem edhe pas zgjedhjeve”! D.m.th. kryeministër bile të paktën edhe një herë.

Një tjetër lider të cilin herë e quajnë ish-komunist e herë putinist, me gjuhën e tij pati thënë se çdo ditë e kësaj qeverisjeje është e keqe për Kosovën. Por, kur në horizont u duk një nismë për përmbysjen e saj, ai “turravrap” për t’ia zgjatur jetën qeverisë për të dytën herë. Dhe të tjerë liderë, që sa herë kanë thënë: Jo dy herë për të njëjtën gjë! Po bëjnë “double jeopardy” fish më fish.

“Heroi” i një filmi kosovar, është i njëjtë si plot heronj që sillen rrugëve si gjithë njerëzit normalë e si plot heronj që kërkojnë lëmoshë, e si plot ata që përjetë kanë mbetur pa një këmbë e pa një dorë. Ka bërë çdo gjë që t’u rri besnikë idealeve që ka, të jetojë me nder e njerëzi. Të shpresojë për një jetë më të mirë pas luftës. Po kur krenaria, etika dhe dinjiteti çohen kundër tij, kur shoqëria nuk ka më nevojë për të, ia fut vetes plumbin në kokë. Sa lirë kushton një plumb.

Heronjtë e humbur të tokës sonë janë gjithkund.

Është e pamundur të kuptosh se në ç’nivel ka depërtuar rrena në këtë sistemin tonë. “Vëllai i madh” shqiptar thotë se të korruptuar nuk janë njerëzit, por sistemi. Po kush e përbën sistemin o bacë?

Le të bëjmë një grusht shteti për gjithë paturpësinë.

Hajde të gjejmë disa njerëz seriozë që të qeverisin. Le t’i gjuajmë shamitë në oborrin e qeverisë, le t’i heqim azbesët. Le t’i bëjmë të gjithë qeveritarët të zhvishen e të pastrohen. Nga rrena e nga mëkatet. Le të zhvishen e të pastrohen. Secilin le ta zhveshim individualisht derisa të mësojë të rrëfejë dhe të mos rrejë.

Le të pastrojmë partitë e vjetra e partitë e reja dhe të nxisim gara të egra. Le t’i bëjmë të pastrohen derisa të mësojnë të rrëfejnë.

Le t’i mësojmë si të flirtojnë me njëri-tjetrin, atëherë kur të jenë të pastër. Le t’i terrorizojmë e të mos lejojmë që goja t’u vjellë ‘vrer’.

Udhëheqësit i kemi pasur gjithmonë të huaj, si mund të jenë udhëheqësit kombëtarë kaq të zinj.

Le të zgjedhim heronj seriozë, gjeneralë seriozë, të përulur seriozë dhe t’i mësojmë të flasin shqip. Le t’i bëjmë të gjithë rrenacakët me atë gojëtarinë e shpifur, të shohin veten, të luten, të rriten dhe të mësojnë të flasin shqipen.

Le të bëjmë një grusht shteti për gjithë pafytyrësinë. Le të bëjmë një grusht shteti për gjithë paturpësinë.

Le ta bëjmë për fëmijët, për prindërit, për gjyshërit dhe për të gjithë varret që s’i viziton kush. Për të gjitha varret që s’ekzistojnë. Le ta bëjmë për të gjithë shqiptarët që dirgjen tokave të huaja.

Shqipja nuk është gjuhë që Zoti e ka përdorur për të urdhëruar engjëjt, por nuk është as gjuhë që të përdoret për të vjellë ‘vrer’. Shqipja nuk është gjuhë as për të ngritur në qiell një fe. As për ta futur në dhe një akademi shkence. Shqipja nuk është gjuhë rrugaçësh. Le të pastrohen bashkë me shtetin edhe gjithë ata shkencëtarë rrugaçë, edhe gjithë ata fetarë të shenjtë e shejtanë. Le të “shesim” tokë e të blejmë tokë. Le të shesim male e lumenj. Le të shesim gurë të çmuar e të nisim të “pjellim” naftë. Le ta zhvillojmë turizmin, por para kësaj të rrëfehemi e të mos flirtojmë fëlliqtë. Pastaj le të thonë çfarë të duan.

Le të bëhen bashkë të guximshmit dhe të mjerët, dhe le të përkulen para gjithçkaje. Bota duket e tmerrshme në këto kohëra. Do të duhet të na tregojnë ndonjë mrekulli për të besuar.

Të pafund janë vlerat mbi tokë. E pafund është dhe mizeria!

Gënjeshtra shkruan, mund të jetë pak, pjesërisht, e pavërtetë; kontekstualisht ose qëllimisht e pavërtetë; me pak ose plot elemente të vërteta.

Le të bëjmë një grusht shteti për gjithë pafytyrësinë, për gjithë paturpësinë, për të gjitha ato që secili i këtij vendi ka luftuar dhe e meriton t’i besojë. Më në fund le ta bëjnë një grusht-shtet për ata që i bashkoi rrena popullore! Pastaj le të thonë çfarë të duan.

*ZERI


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>