Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot paradite, para se të niste mitingu. Kunati kishte përgatitur me agjencinë e vet gjithë skenën e protestës, idetë që do hidheshin aty, dhe kishte bërë dhe regjinë e aktivitetit, kur ia mbërriti në zyrë Flamuri.
-Ça do bëhet me parullat tona, i tha.
-Çfarë parullash, i tha Kunati. I kemi shkruar parullat të gjitha në tullumbace.
-Jo or ti, ai Burri do parulla të mëdha në karton, t’i mbajnë njerëzit.
-Po çfarë parullash do, i tha Kunati.
-Parulla më e madhe do jetë “Edvin Rama, hiq duart nga xhepat tanë”, tha Flamuri.
-Po kjo është qesharake, tha Kunati. S’kemi ku ta shkruajmë këtë tani. Vetëm po është ndonjë aty tek Dekori i Tiranës, se aty shkruajnë me dorë parulla në karton.
-Pyet urgjent se ai Burri e do patjetër këtë, i tha Flamuri.
-Po tjetër çfarë duhet, i tha Kunati.
-Pastaj duhen do pankarta me këto fjali “O Edvin, o legen, do të qojmë në Tepelenë”.
-Këtë s’e bëj dot, tha Kunati, se jam vetë nga Tepelena dhe më tallin.
-Mirë, ta mbajë Altin Goxhaj, i tha Flamuri.
-Dhe ai nga Tepelena është, i tha Kunati.
-Po mirë, ai të mbajë një parullë kundër Sigurimit “Ju jeni bijtë e etërve, ju jeni Sigurimi i Shtetit”.
-S’e bën dot as këtë se e ka pasur babanë drejtor në Sigurimin e Shtetit.
-Po çfarë bëni ju, i tha Flamuri. Kot themi ne paska marrë Tepelena pushtetin, ajo paska marrë dhe opozitën. Ik si i bëjmë vetë.
Përplasja krijoi tension dhe Kunati nuk dinte si t’ia thoshte Lulit.
Më në fund gjeti një mënyrë dhe ia tha.
I shkoi në zyrë dhe e gjeti gati duke u dridhur.
-Si po shkojnë përgatitjet?
-Mirë, i tha Kunati. Deta i ka qarë tullumbacet dhe skenën. Dhe regjia shumë mirë. Dhe fjalimet shumë mirë. Dhe parullat shumë mirë. Është mirë mos t’i lëvizim më.
-Në asnjë mënyrë, i tha Luli, si do t’i lëvizim?
-E pra se kemi harxhu dhe gjithë ato lekë.
-Në asnjë mënyrë, tha Luli.
-Erdhi ai Flamuri, donte të fusnim ca parulla të reja, po i thashë është vonë.
-Mirë bëre, i tha Luli.
-Ishin parulla idiote, i tha Kunati.
-E besoj, i tha Luli, derisa i kërkon Flamuri.
-E pra, atë mendova dhe unë, tha Kunati, gjithçka gati është.
-A t’i raportoj Doktorit, i tha Luli, se ai është në parlament dhe nuk di gjë që i kemi bërë gati.
-Më mirë mos ia thuaj, i tha Kunati, se mos kujtohet për ndonjë gjë dhe na e prish.
-Mirë e ke, tha Luli, s’po e kujtoj. D.m.th gati janë ë…?
-Gati dhe shumë bukur, tha Kunati. Më shkoi mendja mos të bën sherr Doktori për ato parullat që tha Flamuri. Thuaj i kemi shkruar në tullumbace dhe në fund ne do t’i çajmë tullumbacet dhe nuk verifikohet.
-Gjeniale, tha Luli. Ku të paska shkuar mendja. Na paske shpëtu me këto tullumbacet. S’na e gjen dot njeri çkemi thënë pas mitingut.
-E kuptova që kemi bërë zgjedhjen e duhur kur pashë që Flamurit nuk i pëlqyen tullumbacet, tha Kunati. Se më shau kur iku. Kjo parti përfundoi nga posterat e mi tek tullumbacet e tua, tha.
-Le të thotë ç’të dojë, tha Luli. Na paske shpëtu.