Fryma e Re Demokratike zgjodhi 20 shkurtin për të publikuar numrin e parë të gazetës së saj “Fryma e Re”.
Gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i FRD, Bamir Topi, foli për rënien e busteve, por shtoi se diktatorët nuk janë rrëzuar.
Ky ishte dhe titulli me të cilin ishte hapur gazeta.
“Disa buste janë rrëzuar, por në fakt fryma e dominimit me të njëjtat simptoma të demonstruara në kohën e komunizmit ende i shohim sot me shumicë. Mjafton të shikojmë në parlament se çfarë po ndodh atje. Sjellja më vulgare e rrugës ka hyrë në parlament. Nuk e kanë fajin deputetët, por kryetarët. Bustet kanë rënë, por diktatorët jo,” tha Topi.
Ndërsa duke folur për gazetën, Topi tha: “Nuk do jetë në formën dhe karakterin e një fletushke politike, por do ketë rubrika të ndryshme. Do ketë akses për të gjithë ata që kanë një raport specifik me të vërtetën.
Të gjithë e dimë fare mirë se kur një lajm nuk duhet të dalë, telefonatat nuk mbarojnë deri në orët e vona kur mbyllet gazeta. Ne dëshirojmë të jemi të vërtetë. E vërteta nuk është iluzive. E vërteta shumë shpejt del në shesh. Kjo është një vepër e drejtpërdrejtë e njerëzve të letrave dhe gazetarëve profesionistë, që në formacionin tonë politik janë shumë”.