Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Kunati, debat me Flamurin për rrugën ku do ecin protestuesit e opozitës

$
0
0

Pasi e studioi me shumë vëmendje rrugën që mund të ndjekë marshimi i protestës më 20 shkurt, Kunati vendosi të ndërthurë biznesin me protestën si një formë eficente e të bërit opozitë. Për këtë shmangu propozimin që bëhej për itinerarin që duhet të kalonte nga sheshi “Skënderbej”, tek parlamenti dhe pastaj tek qeveria, duke kaluar nga rruga e unazës.

Kunati vendosi që protestuesit të mblidhen tek vendi ku ka qenë statuja e Enver Hoxhës dhe pastaj të kthehen tek kali i Skënderbeut, tek Rruga e Kunatit dhe të shkojnë në Kuvend. Pastaj të kthehen sërish mbrapsht tek Rruga e Kunatit dhe të dalin në bulevard për të shkuar para qeverisë.

Me këtë itinerar, Kunati siguronte një xhiro të mirë tek rruga e tij, duke shitur një sasi të madhe qoftesh dhe birrash nga kioskat, që do të hapen kastile për këtë ngjarje.

Por i vetmi që e kundërshtoi ishte Flamuri.

-Historikisht ne kemi dalë nga sheshi, tek Partizani i Panjohur, tek parlamenti, pastaj tek lulishtja e parlamentit drejt kryeministrisë, i tha Flamuri.

-Iku ajo kohë, i tha Kunati. Atëherë ishin protesta të rrëmujshme dhe duhet të fshihnit armët. Tani nuk keni çfarë fshihni. Kalojmë tek rruga e kioskave, marrin njerëzit dhe nga një birrë e dalin para kryeministrisë. I kanë dhe si molotov po u desh.

-Kjo është e patolerueshme, tha Flamuri. Po morën shishe birre në dorë, ato i ke të gjitha në xhama të kryeministrisë. S’ka lezet që demokratët të gjuajnë me shishe para kryeministrisë. Burri o qet me revole, o rri urtë.

-Mirë atëherë, po u them ta shesin birrën në gota plastike të hapur, i tha Kunati. Qoftet do jenë cilësi e mirë.

-Mos na turpëro mor burrë, i tha Flamuri. Më 14 Shtator kena nda gjellë falas tek klubi i Xhelës. Vinin njerëzit, tregonin automatikun, merrnin pjatën e supës dhe iknin. Si t’u themi nesër, ça të tregojnë për të marrë qoftet?

-Lekët, tha Kunati.

-Jo mor burrë se s’bën ashtu, na korite, i tha Flamuri. Ne kena akuzu Ed Ramën që i bie njerëzit në mitingje me 20 mijë lekë, ti dashke me i sjellë me 2 mijë lekë.

-Këto janë kohë të reja Flamur, i tha Kunati. Ka ikur ajo lloj opozite. Tani duhet të jemi më praktik.

-Epo ja ku po ta them, i tha Flamuri. Me vdekë burri me kallash në dorë apo me anti-tank në dorë, ia ka bë jetën hallall Zotit se ka vdekë si burrë. Me vdekë me qoftet e tua në xhep, është turpi i botës.

-Po mirë, mos t’i mbajnë në xhep. Le t’i hanë aty, pastaj të ikin, tha Kunati.

-Në asnjë mënyrë, tha Flamuri, se mund t’i zërë barku, dhe në vend të jenë para kryeministrisë, do futen të gjithë poshtë urës së Lanës se i zë barku dhe do t’i filmojë Ed Rama duke komentuar se kanë mbushur brekët prej tij.

-Këto janë justifikime, i tha Kunati. Ne do protestojmë se duam një Shqipëri evropiane dhe moderne, jo për një Shqipëri bashibozukësh.

-Ore, dakord jam, por ata që do vijnë janë nga Kamza, nuk dinë nga këto gjëra. Ata duan bukë e groshë e dinamit.

-Nuk ka ndryshim plani, tha Kunati. I vetmi lëshim është që kur të kalojnë nga rruga e qofteve, që do shkojnë në parlament, të blejnë qofte, dhe kur të kthehen, të mos shes më qofte, por vetëm birra.

-Or ti bëj ça të duash, i tha Flamuri, por ata s’e dinë mirë Tiranën e ka me u thënë dikush që këto janë kioskat e Ed Ramës dhe kanë për të t’i kallë në flakë për 1 minutë me gjithë qofte.

-S’e kisha menduar këtë, tha Kunati. Po e mendoj dhe një herë si ta sigurojmë rrugën.

-Ka vetëm një mënyrë, tha Famuri. Ata që vijnë nesër, janë demokratë të vjetër, e dinë rrugën e vjetër. Këta të rinjtë janë akoma nëpër zyra, kështu që nuk duhet provokuar as sulm nëpër zyra se vrasim njerëzit tanë, as sulm tek kioskat se të bëhet dëm. Le të kalojnë andej nga e dinë vetë rrugën se ashtu u ndizet gjaku.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>