Në Afrikën e Jugut janë dyndur korrespondentët e mediave të huaja.
Nelson Mandela është shtrirë në shtratin e vdekjes dhe Afrika e Jugut po mban frymën, por jo vetëm ajo.
Historitë për përplasjet brenda familjes së Mandelës se ku duhet të varroset trupi i tij nuk janë më shqetësuese se dhuna që mund të pasojë vdekjen e tij.
Nëse personat me ngjyrë vuajtën pasojat e aparteidit, gjërat kanë ndryshuar dhe tani në shënjestër janë të bardhët.
Viktima e fundit është Reolof du Plessis, 46 vjeç, që u vra nga një bandë të rinjsh me ngjyrë përpara gruas së tij dhe djalit.
Gruaja e tij, Laura, rrëfen tmerrin: “Nuk ka asnjë dyshim se është diçka që ka lidhje me racat. Ata i urrejnë njerëzit e bardhë. Ne nuk kemi pasur kurrë probleme me ta”.
Daily Mail shkruan se gjithçka është pjesë e një plani që synon dëbimin e të bardhëve nga Afrika e Jugut, veçanërisht fermerëve.
Vetëm muajin e fundit u vranë 25 pronarë tokash në më shumë se 100 sulme në total.
Grupet e të bardhëve thonë se janë më shumë se 4 mijë viktima që kur Mandela erdhi në pushtet- dy herë më shumë se numri i policëve të vrarë.
Madje më shumë se numri i vrasjeve, tronditëse është dhuna që ushtrohet mbi komunitetin e bardhë.
Fëmijë që vriten përkrah prindërve, një familje u mbyt duke u vendosur qese plastike në kokë, ndërkohë që dhjetëra gra, sidomos të moshuara, janë përdhunuar barbarisht.
Të bardhët janë akoma më të shqetësuar se vdekja e Mandelës do të bëjë që të vërshojë dhuna ndaj tyre. Kjo dhunë deri më tani është përmbajtur nga ndikimi i një njeriu të madh si Mandela.
Partia që ka pushtetin, Kongresi Kombëtar Afrikan, thotë se edhe njerëzit me ngjyrë janë objekt sulmi.
Ndoshta, por presidenti i vendit, Jacob Zuma, u filmua vjet duke kënduar këngën famëkeqe “Vrite boerin”, emri që përdorej dikur për afrikanët e bardhë.
“Do t’i qëllojmë, ata do vrapojnë. Vrite boerin, ne do i godasim, kabineti do i qëllojë ata me automatik,” këndonte Zuma.
Në krah të tij ishte një emër akoma më me nam të keq si Julius Malema, drejtues i të rinjve në partinë në pushtet.
Ai është gogoli i të bardhëve në Afrikën e Jugut.
Sondazhet tregojnë se ai ka një mbështetje shumë të madhe mes të rinjve dhe ka në plan që të krijojë një parti të tijën, e cila injoron pajtimin dhe kërkon të luftohet kundër monopolit të të bardhëve.
Malema kërkon që të konfiskohet prona dhe pasuritë e fermerëve të bardhë.
Nelson Mandela ëndërronte për një Afrikë të Jugut në paqe, duke bërë thirrje që të mos ketë hakmarrje.
Por se a do ndiqen këshillat e tij, kjo mbetet për t’u parë./ep