Ish- kryeministri Sali Berisha reagon në rrjetin social Facebook në lidhje me arrestimet e kryera nga Policia e Shtetit mbi atë që quhet goditja e bandës së tritolit.
Përmes një komenti, Berisha e cilëson të gjithë ecurinë e denoncimit të ngjarjes nga një i penduar deri në arrestimin e disa prej personave të dyshuar për kryerjen dhe porositjen e vrasjeve si skenarë të filmave mafiozë.
Më poshtë po japim të plotë komentin e ish-Kryeministrit Berisha në Facebook.
“Të dashur miq, 17 ditë më parë, pas një seriali thuaj të përditshëm tritoli në të katër anët e vendit, një bashkëautor në vrasjet me tritol, N.Gj, prishet në pazare me bosin e tij në vrasje, J.S, dhe ky i fundit e kërcënon me ligjin e mafies. Pas kësaj, N.Gj, për të shpëtuar kokën, vendos të denoncojë bosin e vet, një serial killer dhe anëtarët e tjerë të rrjetit vrastar dhe të parandalojë ekzekutimin e radhës me tritol të grupit të tij. Menjëherë pas kërcënimit me jete nga J.S, për të shpëtuar kokën e tij, N.Gj vrapon tek Prefekti i Fierit. Në këtë takim N.Gj kërkon mbrojtjen e Prefektit dhe i tregon atij planin e J.S për të ekzekutuar me tritol, kundrejt pagesës, biznesmenin durrsak të naftës P.B.
Sipas N.Gj, ekzekutimin e P.B e kishte porositur biznesmeni fierak në fushën e gazit I.K. Prefekti, i tronditur thellë, nuk deshi t’iu besonte veshëve, por ia preu shkurt: “unë nuk mbroj dot veten time, jo të të mbroj ty”. N.Gj kishte frikë të denonconte në policinë e Fierit, mbasi ai e dintë mirë se biznesmeni I.K, që kishte paguar 150 mijë euro për vrasjen për hesap të tij, të bosit të naftës P.B, e kishte nën kontroll të plotë policinë e Fierit dhe Vlorës. Kështu që ai vendosi të denoncojë çdo gjë në policinë e Durrësit. Ai dëshmoi para drejtueseve kryesorë të policisë së Qarkut të Durrësit duke mos e ditur se shkoi si cjapi tek kasapi, mbasi të dy oficerët që e dëgjuan, si drejtori i Qarkut, ashtu dhe shefi i komisariatit të Durrësit, ishin lidhje të forta të biznesmenit I.K, që paguante për vrasjen e P.B. Kështu, i ati i drejtorit A.P kishte pikë të shitjes së gazit të I.K, kurse tjetri kishte qenë shofer i I.K për 8 vite dhe ishte vetë I.K që nëpërmjet bashkëshortes së tij, goca e tezes së ministrit, që e kishte emëruar në Durrës.
Drejtuesit e policisë së Durrësit e përcollën dhe ata të tronditur rrëfimin e N.Gj, por refuzuan që ta marrin në mbrojtje dhe i shpallën të pavërteta dëshmitë e tij. Pas kësaj N.Gj, ish- militant zyrtar i PS-së në Vlorë, vendos t’i drejtohet direkt Ministrisë së Brendshme pa ditur se dëshmitë e tij do të shkonin tek kushëriri i parë i gruas së I.K. Në ministri e dëgjoi zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe dy të tjerë. Vendimi ishte marrë që të mos pranohej dëshmia e tij. Ata jo vetëm që nuk pranuan dëshminë e tij dhe kërkesën për ta mbrojtur, por e nxorën zvarre nga zyra me një breshëri sharjesh dhe kërcënimesh. Tik- taku i orës fatale për N.Gj, vrasës i penduar, nga halli po afronte. Dëshmitë e tij nuk i pranonte njeri. Atë e priste dënimi kapital.
Atij i kishte mbetur si letër e fundit për të shpëtuar jetën denoncimi në media mbasi një dorë e zezë i bllokonte dëshminë dhe e ndiqte për ta eliminuar.
I drobitur, i dëshpëruar, i pashpresë, si njeri në fundin e jetës së tij, ai arriti në klandestinitet të plotë të hyjë në një gazetë. Aty N.Gj gjeti një trajtim krejt tjetër dhe pasi i ofruan një kafe, ai filloi dëshminë e tij për kronikën e një vrasje të paralajmëruar, autorët, rrjetin, kumbarët, ndrikullat zyrtare dhe jozyrtare, të shumë vrasjeve të tjera. Ndërkohë, tek dëshmonte, në telefonin e tij kishte një seri “missed calls”. Pas 13 ditësh i telefononte drejtori i policisë së Durresit, i cili e ftoi t’i përsërisë dhe një herë dëshminë mbasi atë të parën e kishte konsideruar të rreme.
Kryekreu Rama dhe ndihmësi i tij për policinë vrapuan të rrahin gjoksin për megaoperacionin, që në fakt ishte bllokimi për 13 ditë i dëshmisë së N.Gj dhe largimi nga Shqipëria, pas njoftimit nga zyrtarët e shtetit, të dy ndërmjetësve më kryesorë midis porositësve dhe ekzekutorëve të vrasjeve me pagese nga J.S dhe grupi i tij. Kjo ështe e vërteta si në filmat e mafies të megaoperacionit të grupit të tritolit!!”